Home Kulture Josif Budo – dëshmori i parë i demokracisë

Josif Budo – dëshmori i parë i demokracisë

32
SHARE

(Rreth librit “Baladë për Josif  Budon” i Josif  Dojës)

Nga Shpendi Topollaj

Ndofta nuk është e domosdoshme që të jesh njohës i thellë i historisë, për të kuptuar se qyteti relativisht i vogël i Kavajës, në shembjen e diktaturës komuniste në Shqipëri, ka luajtur po atë rol të rëndësishëm, për të mos thënë heroik, që ka pasur Timishoara në Rumani, Gdansku në Poloni, e më tej, Budapesti në Hungarinë e 23 tetorit të vitit 1956 etj. Nga ana tjetër, duhet pranuar se represioni i atij sistemi te ne, qe ku e ku më barbar se në ato vende, aq sa pa drojë mund të perifrazojmë fjalët e Varllam Shallamovit te libri i tij mbresëlënës “Tregimet e Kollimës”, se këtu, veç varfërisë edhe ngrica ishte futur në shpirtin e njeriut. Kavajasit e moshuar duhet ta mbajnë mend atë që përshkruan miku im Tahsin Demiraj, dikur banor i këtij qyteti, i cili përshkruan momentin e viteve të para të çlirimit, kur para futjes në klasë, nxënësit e vegjël i çonin për të parë kundërshtarët e regjimit të varur te mani. Dhe ndofta, te romani “Festa e cjapit” të nobelistit Mario Vargas Llosa, mund të gjejmë skena të ngjashme, pra tabllo të fuqishme të rënies së një sistemi shtypës e antipopullor dhe lindjen e demokracisë. Dhe kavajasit qenë nga të parët, në mos të parët, që ashtu si njeri nga personazhet e tij i cili thosh se “Truhijizmi është një kështjellë letrash bizhozi. Do të shembet, ke për ta parë”, patën mençurinë ta kuptojnë këtë të vërtetë dhe guximin të mbushin muret me parullat “Enver – Hitler”. Ne, që i kemi përjetuar ato ditë të nxehta e plot shpresë për një të ardhme më të mirë, e mbi të gjitha me besim se do fitohej liria e vërtetë, e dimë se ata që i vunë gjoksin kësaj revolte popullore të pashembullt, pas asaj të Postribës dhe burgut të Spaçit, ishin djem të thjeshtë që intuita e pagabuar dhe e mbështetur mbi të vërteta të hidhura, ua kishte shtuar urrejtjen dhe mprehur shikimin. E midis tyre, natyrisht që një vend nderi i takon dëshmorit të demokracisë Josif Budo, për figurën e pavdekshme të të cilit ka shkruar librin e tij shoku ynë Josif  Doja, shkrimtar, poet dhe atdhetar mjaft i njohur. Dua të besoj se të treja këto vlera të tij e orientuan drejt një figure si ajo e Josif  Budos, i cili së bashku me atë të Indrit Carës, u kthyen në simbole të këtij qyteti e më gjerë, i pari në luftën për demokraci dhe i dyti, në atë për lirinë e vëllezërve tanë kosovarë, të dy të përjetësuar në ato dy skulpturat impozante në qendër të qytetit. Në kopertinën e librit “Baladë për Josif Budon”, ku mbi flamurin tonë kombëtar qëndron fytyra e bukur e këtij djaloshi sypatrembur, autori ka shkëputur një pjesë nga libri, ku me një prozë poetike e portretizon atë: “Kam qëndruar përpara këtij busti, kësaj vepre arti, i kredhur në meditime… I njejti kraharor i fuqishëm, i hedhur përpara. E njëjta qafë e gjatë muskuloze. E njëjta fytyrë e qeshur, rrumbullake. I njëjti ballë, të  njëjtët flokë. Të njëjtët sy, sidomos sytë, ashtu vështrimthellë e të përqendruar, që se kishin për gjë të talleshin me frikën. Dhe të gjitha këto, tamam sikur Josif Budo të ishte gjallë.” Dhe ajo që nuk thuhet në këtë paragrag, pra shpirti i atij që në një farë kuptimi u bë shpirti rebel e mospajtues me të keqen i të gjithë banorëve të Kavajës, do të gjendet brënda faqeve të këtij libri. Dikush ka thënë se “Gjendja e mbrendëshme e njeriut mund të shpjegojë sjelljen e njeriut.” Ja, këtë ka dashur të bëjë dhe shkrimtari Josif Doja; të na tregojë sesi arriti një djalë i zakonshëm, të përfshihet në lëvizjen demokratike, nga ç`familje erdhi, si u ndesh me varfërinë dhe si e përballoi përplasjen me diktaturën. Dhe natyrisht, si arriti ai, me gjestin e tij të renditet me të tjerë heronj që nuk njiheshin më shumë sesa në fshatrat dhe qytetet ku kishin lindur, apo në ambientet e ngushta shoqërore. Josif  Doja, natyrshëm dhe pa asnjë teprim na e paraqet si Kavajën e atyre viteve, ashtu dhe protagonistin e tij. Ata, si pakuptuar shkrihen në një, aqsa nuk i ndan dot. Familja e Josif Budos nuk ka ndonjë dallim nga familjet e tjera. Në një shtëpi modeste jeton traktoristi Kiço Budo me gruan dhe gjashtë fëmijët e tij. Skamja që ishte ulur ngado këmbëkryq, do të jetë e pranishme edhe në jetën e tyre. Rropateshin gjithë këtë bijë dite, babai arave dhe nëna, Vasilika në ndërmarrjen e Qilimave, dhe punët e pafund të shtëpisë, por siç thotë autori, mënxyrës që kishte pllakosur si ajo reja e zezë dhe e rëndë nuk mund t`i shpëtonin as ata. Se dhe dyqanet ishin aq bosh, sa të kaplonte trishtimi. Pikërisht kjo skamje dhe ndershmëria me të cilën familja e përballonte atë, formuan karakterin e djaloshit. Ai, sapo kreu ushtrinë atje në Tropojë, mori hua sa për të blerë dy viça që do t`i rriste vetë dhe pasi t`i shiste do lante borxhin dhe do të blinte një televizor. Ja kaq ishte dëshira e tij. Por ndërkohë ngjarjet preçipituan me shpejtësi. Nisi shpërndarja e trakteve, futja e letrave nën dyert e hierarkëve dhe ajo ngjarja e paharruar e stadiumit “Besa”, ku gjatë ndeshjes me “Partizanin” shpërthyen thirrjet e padëgjuara më parë: “Poshtë diktatura”, “Poshtë komunizmi”, “Liri – demokraci”. Titaniku kishte nisur të mbytej dhe zërit të turmës, shokëve dhe vëllezërve të tij, Kozmait, Nikollës, Spiros dhe Mihalit, nuk kishte sesi të mos i bashkëngjitej edhe ai i Josifit. Përplasja trimërore e Ilirit, Rexhepit, Safetit e Selaudinit me sambistët dhe arrestimet që pasuan , akoma më shumë e shtuan vendosmërinë dhe reagimin e njerëzve. Në Kavajë u shtuan masat e represionit, por ata nuk e njihnin më frikën. Dhe u nisën në demonstratë me gurë e shkopinj, e pa iu dridhur qerpiku, drejt Degës së Brendshme, për të liruar shokët e tyre. Me ta ishte dhe Josif Budo. Ishin datat historike 25 dhe 26 mars 1990 dhe siç shprehet autori i librit “…kishte nisur të frynte era këndellëse e jetëdhënëse e demokracisë, për të cilën Josif Budo nuk do të stepej deri për të falur gjithçka.” Dhe ditën e 10 korrikut të atij viti, fati e deshi që ta vinte përfundimisht në provë djaloshin 22 vjeçar. Ton – ton makutëve të diktaturës shqiptare, mjeranë e vegla të bindura, u ishin errur sytë, më shumë se ç`i kishin, dhe vazhdonin të godisnin njerëzit në rrugë, me shkak e pa shkak. Pasi kishin tmerruar pushuesit në Plazhin e Golemit, u ndalën te disa të rinj të pafaj në lagjen Sallbeg, ku në sherr u përfshi dhe vëllai i Josifit, Nikolla i cili kishte shkuar t`ua hiqte shokët nga duart policëve. Në kohën që policët e godisnin Nikollën pa mëshirë me sa fuqi kishin, në prani të shumë banorëve të revoltuar, futen kushërinj e shokë, si Nauni, Telemaku, Alfredi, Nesti, Dhimitri, Iliri, Spiro e mjaft të tjerë. Ky ballafaqim mori trajat e një përleshjeje të vërtetë, dhe më tej autori e ndërpret tregimin e tij, duke ua lënë vendin dëshmitarëve okularë, si e fejuara e vëllait të Josifit, Xhuljeta dhe motra e tij Rudina. Histori e dhimbshme, që vijon me ndërhyrjen e Josifit për t`ua shkëputur policëve nga duart vëllanë e gjakosur, shkëmbimet e fjalëve të ashpra e plot mllef me ta, dhe pas marrjes së urdhrit, tre të shtënat, dy nga të cilat “goditën trupin e Josifit. Por jo vetëm trupin e tij. Gjithë lagjen. Gjithë qytetin. Gjithë popullin e Kavajës,” siç shkruan autori, dhe që unë do të shtoja: “Gjithë popullin e Shqipërisë”, pasi kush nuk u trondit dhe kush nuk u përlot nga ajo vrasje. Njihet nga të gjithë tradita e kavajasve në dhënien e lamtumirës së fundit dikujt. Por tani puna ndryshonte; trupi i Josif Budos ju bë dhuratë një misioni të madh të cilit ai i priu me forcën e një profeti. Prandaj dhe u përcoll nga mijra e mijra, prandaj dhe: “Ishte një qytet i gjithi tashmë, i cili, nga dita në ditë po shndërrohej përherë e më shumë në një shembull të madh frymëzimi në luftën që ai kishte nisur për përmbysjen e diktaturës komuniste dhe fitoren e demokracisë. Josif Budo ishte njëri prej djemve të radhëve të para të kësaj lëvizjeje të fuqishme jetike, zgjuese, përtëritëse e me rëndësi të madhe në përcaktimin e fatit të ardhmërisë së vendit tonë.” E meritonte Josifi çdo vlerësim. Kushdo që e ka njohur sado pak natyrën mizore të komunizmit e di mirë se ai regjim gjakatar nuk do të dorëzohej aq lehtë as në grahmat e fundit. Ndofta ca më shumë s`do linte gur pa lëvizur, pikërisht kur po e shihte se po shembej nën peshën e krimeve dhe poshtërsive të tij. Por edhe aq jetë sa mori në përpëlitjet e fundit, për ne janë të shtrenjta. Të shtrenjta dhe të shenjta. Se fundja përcaktimin më të saktë e ka bërë biri tjetër i Kavajës, shkrimtari Josif Doja, i cili për të thotë: “Josif Budo ishte përherë atje ku zjente shpirti i revoltës, ku shpërthente një protestë apo një demonstratë. I “gatuar” prej natyre vetëm për të qenë një shpirt i lirë, ai nuk i druhej asgjëje që i dilte përpara për t`iu bërë pengesë. Frika për atë ishte e huaj: zemra e tij e madhe, e çliruar çuditërisht nga komplekset, nuk kishte vend për druajtjen, për tutjen, për tërheqjen.” Nga ana e autorit, mendoj se është një gjetje interesante edhe përfshirja në këtë libër e pasazheve nga autorët e mirënjohur Xhevat Mustafa dhe Mehmet Elezi, nga librat respektivë “Zëri i prerë” dhe “Nuk isha student i dhjetorit”, ku trajtohet edhe kjo temë. Edhe vetë mbyllja e “Baladës së Josif Budos” me vargjet e autorit: Po kush tha, kush tha / Se s`është më ndër ne? / Në vdes trimi vetë, / Është vepra që le. – dua të besoj se mbetet kurora më elokuente e nderimit dhe respektit për atë bir të thjeshtë të Kavajës, i cili me aktin e tij sublim u bë materializimi i shpirtit të madh demokrat e të lirë të gjithë banorëve të këtij qyteti, që urtësisht mbart brenda vetes kaq lavdi. A nuk thosh qysh në kohën e tij edhe Lao Ce: “Ai që vdes e vepra i mbetet, është i përjetshëm”? Fundja, a nuk është ky dhe mesazhi universal i të gjithë atyre që vënë në jetë konstatimin e Kahlil Gibranit se “Të përballesh guximshëm me pengesa dhe vështirësi është më fisnike se të tërhiqesh në qetësi.” Ja, këtë është përpjekur dhe ia ka arritur ta realizojë me këtë libër edhe Josif Doja, i cili duke e kujtuar kaq bindshëm, na ka takuar me një të tillë fisnik.(Bulevard news)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

− 1 = 1