Home Aktualitet UKD, drejt përfundimit investimi për rrjetin e ri të ujërave të zeza...

UKD, drejt përfundimit investimi për rrjetin e ri të ujërave të zeza në Kodër-Vilë

2
SHARE

ujerat e zeza ne koder vileUjësjellës Kanalizime Durrës ka nisur prej një muaji punimet për ndërtimin e rrjetit të ri të kanalizimeve të ujërave të ndotura në zonën e  Kodër-Vilës. Bëhet fjalë për rrjetin e kanalizimeve në rrugët “Kont Uran” dhe “Ulliri i Çel Islamit”, të cilat janë pjesë e lagjes nr 1 të qytetit. Dega teknike pranë Ujësjellës Kanalizime Durrës ka hartuar projektin për këtë investim, i cili do të zgjidhë problemin e ujërave të ndotura të zonës. Investimi në fjalë do të kryhet me fonde të vetë ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizime Durrës dhe parashikon ndërtimin e rrjetit të ri kryesor dhe dytësor për një zonë të banuar ku ujërat e zeza funksionojnë me gropa septike. Zona ku pritet të kryhet investimi gjendet në pjesën jug-perëndimore të qytetit dhe ajo ka si karakteristikë rritje të shpejtë të popullsisë për shkak të shumë ndërtimeve të reja një, dy dhe disa katëshe.  Zona në fjalë vuan nga mungesa e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të ndotura, pasi si zonë relativisht e re nuk ka një rrjet të mirëfilltë kanalizimesh. Banorët e zonës e kanë zgjidhur këtë problem me anë të ndërtimit të gropave septike,të cilat të ndërtuara jashtë kushteve teknike shkaktojnë filtrime të ujërave të ndotura duke sjellë probleme dhe në infrastrukturën e zonës. Në projektin e hartuar nga dega teknike është parashikuar shtrimin i rrjetit të ri kryesor të kanalizimit me tubacion të brinjëzuar 315 mm me gjatësi totale 1350 ml. Projekti parashikon edhe ndërtimin e 900 metra të tjera kanalizime sekondare me tub të brinjëzuar me dimension 250 mm. Gjithashtu është llogaritur edhe ndërtimi i 80 pusetave të kontrollit përgjatë tubacionit kryesor duke zbatuar kriterin e vendndodhjes së tyre në zonat ku ka kryqëzime në rrugët dytësore të zonës. Shkarkimi i ujërave të zeza të zonës në fjalë do të bëhet në kolektorët ekzistues, përkatësisht në tubacionin prej betoni 400 mm në rrugën “Mbretëresha Teutë” si dhe në tubacionin 315 mm  në rrugën “Batica”. Investimi në fjalë përmirëson ndjeshëm infrastrukturën e zonës ndërkohë që disiplinimi i ujërave të zeza ndikon dukshëm në përmirësimin e mjedisit të zonës duke larguar ndotjen dhe erën e keqe. Në shumë rrugë të Kodër-Vilës për shkak të mosfunksionimit të kanalizimeve të ujërave të zeza janë krijuar gropa të mëdha që shpesh mbushen me ujë duke sjellë probleme në jetën e përditshme të banorëve të zonës. Vënia në punë e rrjetit të ri të kanalizimeve zgjidh problemin e ujërave të ndotura si dhe shmang përmbytjet e rrugëve si dhe dëmtimet e tyre nga prania e vazhdueshme e ujërave të ndotura dhe atyre të shiut. Aktualisht firma që po kryen punimet në terren është duke punuar në rrugën “Ulliri i Çel Islamit”. Punimet janë në gjysmën e investimit dhe do të zgjasin dy muaj gjithsej.