Home Rajoni Zaev: Zgjidhja e emrit të garantojë identitetin

Zaev: Zgjidhja e emrit të garantojë identitetin

22
SHARE

Zyrtarët në Qeverinë e Maqedonisë nuk japin detaje se cili opsion me përcaktim gjeografik është më i pranueshëm për Maqedoninë, sa i përket ndryshimit të emrit të shtetit, në funksion të zgjidhjes së kontestit me Greqinë për këtë çështje, që ka çuar dhe në bllokimin e procesit të integrimeve në strukturat euroatlantike. Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev tha sot secilado zgjidhje, sa i përket kontestit të emrit, duhet ta garantojë identitetin. Zaev tha se do ta bëjë të pamundurën, që siç u shpreh, “ky problem i hidhur që zgjatë më shumë se 25 vite të zgjidhet”. “Qëndrimi i Qeverisë së Maqedonisë është se për ne është i pranueshëm emër me përcaktim gjeografik. Atë e bazoj në debatin e brendshëm që e kemi në Maqedoni. Dinjiteti dhe identiteti janë të rëndësishëm, unë jam i sigurt që Maqedonia mundet me konsensus për këtë çështje të gjejë zgjidhje në interes të ardhmërisë”, tha Zaev gjatë një adresimi para medieve. Ndërkohë, i pyetur nëse zgjidhja do të duhet të përfshijë dhe ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë, kryeministri Zaev tha se kjo ka qenë e kërkesë e palës greke, por se Maqedonia ka qëndrim krejtësisht të ndryshëm lidhur me këtë çështje. Ndërkohë, partitë shqiptare kanë përshëndetur qëndrimin e Qeverisë për emër me përcaktues gjeografik, si zgjidhje e kontestit mes Maqedonisë dhe Greqisë, nga partia maqedonase në opozitë VMRO-DPMNE kanë pyetur se përpos gatishmërisë për emër me përcaktues gjeografik, a ekziston gatishmëri edhe për koncesione që kanë të bëjnë me ndryshimin e Kushtetutës, gjuhës, identitetit dhe kodeve ndërkombëtare të Republikës së Maqedonisë. “Opinioni pret përgjigje edhe në pyetjen nëse riemërim i Aeroportit dhe Autostradës janë pjesë e ndonjë strategjie më të gjerë për zgjidhjen e kontestit me Greqinë fqinje, ose paraqet koncesion të njëanshëm të Republikës së Maqedonisë. Qeveria solli vendim, por deri tani nuk ka asnjë sqarim as për dobitë e strategjisë, që le dyshim se sërish bëhet fjalë për koncesione nga e cila Maqedonia nuk ka asnjë dobi”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së. Nga ana tjetër, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së Aleksandar Nikollovski ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale sa i përket vendimit të Qeverisë së Maqedonisë për të ndryshuar emrin e Aeroportit të Shkupit nga “Aleksandri i Madh” në “Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit” dhe vendimit që autostrada që lidh Maqedoninë dhe Greqinë të emërohet “Autostrada Miqësia”. Nikollovski nga autoritet qeveritare ka kërkuar më shumë transparencë sa i përket veprimeve të ekzekutivit, që kanë të bëjnë me procesin e negociatave me Greqinë, sa i përket kontestit për çështjen e emrit. “Duke pasur parasysh se nuk kemi marrë një përgjigje, është e qartë se Maqedonia bën lëshime të njëanshme për të cilat nuk merr asgjë në këmbim”, ka shkruar Aleksandar Nikollovski në rrjetin social Facebook. Ndërkaq, njohësit e çështjeve politike thonë se tanimë është e qartë se rrjedha e bisedimeve zhvillohet përmes në dy pika të ndjeshme, edhe atë rreth kërkesës së palës maqedonase që të mos preket identiteti, dhe asaj greke që emri “Maqedoni” të jetë me përdorim gjithëpërfshirës. “Është bërë një gjë e qartë, se dy vijat e kuqe, përmes së cilave zhvillohen negociatat, kanë të bëjnë me identitetin e maqedonasve në njërën anë, si kërkesë e palës maqedonase, dhe nga ana tjetër kërkesën e palës greke për një emër që do të jetë për përdorim të brendshëm dhe atë ndërkombëtar”, thekson Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci . Ndryshe, nga Qeveria e Maqedonisë kanë bërë të ditur se javën e ardhshme do të realizohet një takim i ri, në kuadër të procesit të negociatave për zgjidhjen e kontestit të emrit me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të OKB-së Matthew Nimetz, në nivel të shefave të diplomacive të Maqedonisë dhe Greqisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

3 + 5 =